A lejohet t’i bashkoj namazet, pasi që jam në studime në fakultet dhe ..

LAJME

A lejohet ti bashkoj namazet, pasi që jam në studime në fakultet dhe më së shumti e kam problem namazin e drekës, a mund ta fali namazin e drekës pasi që të thërret ikindija, domethënë njëherë drekën pastaj ikindinë, Allahu ju shpërbleftë.

Si duket pyetësi pyet për bashkimin e namazeve pa qenë udhëtarë ngase për udhëtarin lejohet në shumë hadithe të Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

I Dërguari i Allahut e ka bashkuar drekën me ikindinë në kohën e drekës apo ikindisë, dhe akshamin dhe jacinë, në kohën e akshamit apo në kohën e jacisë duke qenë udhëtarë. Ndërsa kur Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka qenë vendas, vetëm një transmetim që na transmeton Ibn Abasi, këtë hadith e ka transmetuar Imam Muslimi, që na tregon se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e ka bashkuar edhe drekën dhe ikindinë dhe akshamin dhe jacinë pa qenë në udhëtim dhe pa qenë koha shi,

ngase në udhëtim ka argumente të shumta dhe gjithashtu kur ka qenë koha shi dhe rrugët me baltë na transmetohen hadithe të shumta se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ndërsa pa qenë koha shi dhe pa qenë në udhëtim, na ka transmetuar këtë hadith Abdullah ibn Abasi dhe mendoj se ky është një lehtësim prej lehtësimeve të Allahut azze ue xhel edhe pse njeriu nuk guxon ta bëj të përditshme dhe të zakonishme në jetën e tij pra mund të përdoret ky hadith të veprohet me të në raste specifike,

sikur që është rasti i vëllaut tonë i cili është në fakultet dhe nuk ka mundësi që ta fal çdo kohë në kohën e vet, atëherë i lejohet këtij që mos t’i ik namazi, ta fal drekën dhe ikindinë në kohën e drekës apo në kohën e ikindisë, domethënë sëpari drekën e pastaj ikindinë.

Pra jepe mundin maksimal që të falesh namazet në kohën e vet. Nëse nuk mundesh atëherë të lejohet deri atë ditë kur të mundësohet që ta falësh çdo namaz në kohën e vet, vetëmse asesi nuk të lejohet që të braktiset namazi derisa të hyn koha e akshamit përshkak se ne i takojmë mendimit të dijetarëve se kazaja është anuluar edhe pse ka qenë me një periudhë.

Për këtë arsye bëhu i kujdesshëm ndaj namazit, mos e le namazin që të kalon koha e ikindisë, e të jetë dreka apo ikindija pa falur, për shkak se nuk e zëvendëson pastaj asgjë, përpos pendimi tek Allahu azze ue xhel dhe nëse dëshiron që Allahu me ta fal. Lusim Allahun që ky lehtësim të jetë i pranuar dhe i qëlluar. Allahu e di më së miri.