Kur Allahu e pranon veprën e njeriut dhe cila vepër mund të konsiderohet e mirë në islam?

LAJME

Kur Allahu e pranon veprën e njeriut dhe cila vepër mund të konsiderohet e mirë në islam?

Pra janë dy pyetje, të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Në shumë ajete Allahu azze ue xhel ka përmendur dhe ka thënë ata që kanë besuar dhe vepruar vepra të mira .. Vallë, cila është vepra e mirë? Pra është pyetja shumë e rëndësishme, ngase ne doemos duhet t’i dijmë kriteret e veprës së mirë që të dijmë se cila vepër konsiderohet te Allahu azze ue xhel si vepër e mirë.

Pra dijetarët për këtë çështje kanë ardhur me tre kritere, e ajo vepër që i përmban këto tre kritere konsiderohet si vepër e mirë. Këto kritere janë nxjerrur nga Kur’ani, nga fjalët e Allahut azze ue xhel dhe nga hadithet e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Vepra që të konsiderohet e mirë, sëpari duhet të jetë vepra e cila kryhet për Allahun Pra çdo vepër e cila nuk është për Allahun azze ue xhel nuk mund të jetë apo të konsiderohet si vepër e mirë, kjo është kriteri i parë dhe janë bazuar në fjalën e Allahut azze ue xhel, ku thotë Allahu:

Nuk janë urdhëruar që ta adhurojnë Allahun vetëm se sinqerisht. Kriteri i dytë, është të jetë në përputhshmëri me veprimin apo me sunetin e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ngase nuk mund të jetë një vepër e mirë në sheriat nëse nuk përputhet me të vepruarit e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ngase thotë Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem me një hadith se çdo vepër që nuk kam urdhëruar në të, ajo vepër nuk do të jetë e pranuar tek Allahu.

– Pra kushti i dytë, të jetë në përputhshmëri me sunetin e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Dhe kushti i tretë, për të qenë një vepër e pranuar tek Allahu, duhet që vepra të buron nga besimi, ngase siç na ka ardhur në një ajet që thotë Allahu azze ue xhel në Kur’an: Kush vepron vepra të mira, qoftë nga meshkujt apo femrat dhe duke qenë besimtar.

Pra vepra e mirë duhet t’i plotëson disa kritere, të njejtat kritere janë për të qenë vepra e pranuar tek Allahu azze ue xhel. Pra vepra e mirë konsiderohet në sheriat nëse është në përputhshmëri me sunetin e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, është e sinqertë për Allahun dhe buron nga besimi. Pra kjo është vepra që të sjell dobi në ahiret.

E nëse është vepra e mirë, mirëpo nuk buron nga besimi pra ai person nuk është besimtarë, vepra e mirë nuk i sjell dobi në ahiret. Siç transmetohet nga Kadi Ijad dhe nga Ummu Seleme, e cila thotë se vepra për të qenë e pranuar tek Allahu duhet të jetë e mirë dhe e sinqertë. Kur e pyetën se çfarë e ke për qëllim e mirë? Ka thënë të jetë sipas sunetit të Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem çka e ke për qëllim që të jetë e sinqertë? – Të jetë vetëm për Allahun, pra në atë vepër, mos të ketë hise askush pos Allahut azze ue xhel dhe nëse e ka burimin nga besimi dhe ndahet njeriu prej kësaj bote duke qenë besimtar, veprat e tij do t’i sjellë dobi.

Për këtë thotë dhe Allahu në Kur’an: Kush dëshiron të takohet me Allahun, pra beson në Allahun, beson në takimin me Allahun, le të vepron vepër të mirë, e në këtë rast cila është vepra e mirë? Le të vepron vepër në atë mënyrë që e ka vepruar Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe mos t’i bëj shok Allahut azze ue xhel në kryerjen e veprës së tij.

Për këtë arsye, na tregon Allahu azze ue xhel për ata që nuk ua pranoi Allahu veprat e tyre dhe thotë: Veprat e tyre i sollëm në ditën e Gjykimit, mirëpo ia kemi bërë pluhur .. për çka? Për shkak se nuk e kishin burimin prej besimit.

Pra le të besojmë, le të veprojmë vepra që janë në përputhshmëri me sunetin e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe le të jenë veprat e sinqerta për Allahun, inshaAllah këto vepra janë që janë për qëllim të përmendura në shumë ajete dhe Allahu azze ue xhel premton përgëzime dhe dhurata të mëdha për ata që kanë besuar dhe kanë bërë vepra të mira. Allahu na bëftë prej tyre.