Kush është pejgamberi yt?

AKIDE

Kush është pejgamberi yt?

Pejgamberi yt është Muhamedi alejhi selam. Quhet Muhamed, i biri i Abdullahut, i biri i Abdulmutalibit, i biri i Hashimit. Është lindur në Mekë. Nëna e tij quhet Amine, bija e Vehbit. Është nebij dhe resul për të gjithë njerëzit.²
( 2 Shiko librin “Të dërguarit dhe mesazhet”, autor i të cilit eshtë dr. Omer Sulejman Eshkar )

Allahu thotë: “Muhamedi nuk ka qenë babai i asnjërit prej burrave tuaj por ai ishte i dërguari i Allahut dhe vulë e të gjithë pejgamberëve…” (El-Ahzab, 40) Ai është bërë nebij me zbritjen e ajetit: “Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi çdo gjë” (El-Alak, 1) dhe është bërë resul me zbritjen e ajetit: “O ti i mbuluar! Ngrihu dhe tërhiqu vërejtjen (duke i thirrur)…”
(El-Mudethir, 1-2)

Të Dërguarit të Allahut i ka ardhur shpallja për herë të parë në moshën dyzet vjeçare. Trembëdhjetë vjet pas shpalljes së tij i dërguar, ai urdhërohet nga Allahu që të shpërngulet në Medinë në të cilën qëndroi dhjetë vjet. Në moshën 63 vjeçare ai ndërroi jetë.

Gjëja e parë në të cilën thirri i dërguari i Allahut alejhi selam ishte teuhidi të cilin e përmbledh fjala ‘la ilahe ilallah’ që do të thotë: “S’ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut”. Allahu e ka urdhëruar të dërguarin e Tij që t’i lutet vetëm Atij që është Një dhe mos t’i bëjë Atij shok në lutje, siç kanë bërë idhujtarët në kohën e tij, duke i thënë: “Thuaj: ‘Unë adhuroj vetëm Zotin tim dhe Atij nuk i bëj asnjë shok.”” (El-Xhin, 20) I dërguari i Allahut alejhi selam thotë: “Lutja është adhurim.” (Transmeton Tirmidhiu i cili thotë se hadithi është i mirë, i vërtetë) Kështu pra, detyrë e muslimanëve është që t’i luten vetëm Allahut e askujt tjetër përveç Tij, qoftë ai pejgamber apo evlia, ngase vetëm Allahu mund t’u përgjigjet lutjeve tona e të tjerët përveç Tij nuk kanë mundësi ta largojnë të keqen nga njerëzit.

Allahu i Lartësuar thotë: “Ata (idhujt) që i adhurojnë (idhujtarët) veç Allahut, nuk krijojnë asgjë, porse vetë ata janë krijuar. Janë të vdekur e jo të gjallë dhe ata nuk e dinë se kur do të ringjallen (adhuruesit e tyre).” (En-Nahl, 20-21)