Më tregoi një shok se leximi i sures El-Kadr pas abdesit preferohet dhe ka shpërblim të madh, sa është kjo e vërtetë?

LAJME

Më tregoi një shok se leximi i sures El-Kadr pas abdesit preferohet dhe ka shpërblim të madh. Desha të di, sa është e vërtetë kjo thënie dhe a ka argument për të?

Pyetja është me vend, ngase shpeshherë ne i dëgjojmë, veçanërisht njerëzit e moshuar që pas marrjes së abdesit e lexojnë kaptinën El-Kadr duke menduar se kjo është e preferuar dhe është sipas sunetit, e në realitet kjo nuk është prej sunetit, ngase imam Sahaui kur flet për këtë hadith thotë se është i dobët, ndërsa Shejh Albani e konsideron prej haditheve të shpikura.

Pra nuk preferohet dhe nuk posedojmë argument që pas mbarimit të abdesit të lexohet kaptina El-Kadr, dhe nuk është e vërtetë siç transmetohet në disa transmetime se ai i cili e lexon kaptinën El-Kadr, pas marrjes së abdesit i falen mëkatet e 40 viteve.

Ky është hadith i rrejshëm dhe nuk është i vërtetë, për këtë arsye Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem na ka treguar se çfarë duhet të lexohet në fillim dhe në fund të abdesit .. Transmetohet në një hadith, edhe pse ka dilemë në këtë hadith mes dijetarëve se a është i vërtetë apo jo, ndërsa Shejh Albani e konsideron si të vërtetë, se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka porositur që në fillim të abdesit të bëhet Bismilah, e disa kur fillojnë abdesin thonë Bismilahi Rrahmani Rrahim, e më e preferuar është të thuhet vetëm bismilah, kaq, pasi le të na mjafton neve në veçanti në ibadet ajo që i mjaftoi Pejgamerit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ngase siç transmetohet në hadithe të Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ku tha: S’ka abdes ai i cili nuk e përmend emrin e Allahut ..

Pra ata dijetarë që e kanë konsideruar këtë hadith të pranuar, të mirë apo të vërtetë e kanë bërë kusht që të pranohet abdesi të bësh bismilah, ndërsa ata të tjerët të cilët këtë hadith e konsiderojnë të dobët kanë thënë që në fillim të abdesit preferohet të thuhet bismilah, e pastaj a ka ndonjë dhikër apo lutje që gjatë marrjes së abdesit duhet të bëhet siç kemi dëgjuar prej disave të cilët kur e lajnë fytyrën thonë: o Zot na i zbardh fytyrën tonë në ditën e Gjykimit, apo kur ta lajnë krahun e djathtë thonë: O Zot na mundëso ta marrim librin në dorën e djathtë, pastaj kur ta lajë krahun e majtë thotë: O Zot mos ma mundëso që ta marr librin në dorën e majtë, të gjitha këto hadithe nuk janë të vërteta ngase janë hadithe të trilluara dhe nuk kemi vlejnë si argument. Për këtë arsye e vetmja që na transmetohet se çfarë lutje duhet të bëhet në fund të abdesit është, 3 transmetime.

E para nga ajo, transmetohet nga Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem qe në përfundim të abdesit e ka bërë këtë dua dhe ka thënë: Esh-hedu en la Ilahe il-lAllahu vahdehu la sheríke leh ve esh-hedu enne Muhammeden abduhu ve resuluh. Këtë e transmeton Omer ibn Hattabi, që e ka nxjerrur imam Muslimi.

Gjithashtu transmeton Imam Tirmidhiu i cili thotë e ka shtuar pas kësaj dhe ka thënë: Allahumme-xhe-alni minet-tevvabíne ve-xhe-alni minel-mutetahirín. Gjithashtu transmetohet me një transmetim që Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e ka bërë duanë pas abdesit dhe ka thënë: Subhaneke Allahumme ve bihamdike, Esh-hedu en la ilahe il-la Ente estagfiruke ve etubu ilejk. Këtë hadith e transmeton Imam Nesaiu e pastaj ibn Haxher Askalani thotë se zinxhiri i këtij hadithit është i vërtetë megjithatë kanë ndryshuar mendime dijetarët, se a është kjo fjalë e Ebu Said El-Hudriut apo e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

Imam Neveviu dhe Ibni Salahi i japin përparësi dhe thonë se kjo fjalë është e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, por sidoqoftë, edhe po të jetë fjalë e Ebu Said el-Hudriut është një fjalë që nuk mund të thuhet nga logjika kështu që e mer rangun e hadithit.

Pra, çfarë preferohet të thuhet pas perfundimit të abdesit: Esh-hedu en la Ilahe il-lAllahu vahdehu la sherike leh ve esh-hedu enne Muhammeden abduhu ve resuluh, pastaj preferohet të thuhet, Allahumme-xhe-alni minet-tevvabíne ve-xhe-alni minel-mutetahirín, pastaj preferohet të thuhet Subhaneke Allahumme ve bihamdik, Esh-hedu en la ilahe il-la Ente estagfiruke ve etubu ilejk.

Ngase transmetohet në hadith të transmetuar nga imam Muslimi nga Omer ibn Hattabi që thotë Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: Ai i cili merr abdes e ne fund e përfundon abdesin me këtë dua: Esh-hedu en la Ilahe il-lAllahu vahdehu la sherike leh ve esh-hedu enne Muhammeden abduhu ve resuluh i hapen 8 dyer të Xhenetit dhe ai do të hyjë prej cilës derë të dëshiron pastaj thotë Allahumme-xhe-alni minet-tevvabine ve-xhe-alni minel-mutetahirín.

Këtë hadith e transmeton Imam Tirmidhiu edhe pse Ibn Haxher Askalani e konsideron prej transmetimeve të dobëta mirëpo Ibn Kajimi dhe Shejh Albani këtë shtojce e konsiderojne prej transmetimeve të vërteta.

Pra preferohet që këto lutje t’i themi në fund të abdesit, siç e themi bismilah në fillim, në mesin e abdesit nuk ka ndonjë lutje, poashtu në mbarim të abdesit nuk ka transmetim për ndonjë lutje tjetër të veçantë, e normal edhe leximi i kaptinës El-Kadr nuk është i vërtetë. Allahu e di më së miri.