Melaiket që shënojnë veprat tona, a janë me ne edhe në ..

LAJME

Thuhet që nëpër vende të ndyta nuk hynë melaiket, por në anën tjetër thuhet se njeriu i ka dy përcjellës melekë, njëri në anën e djathtë e tjetri në anën e majtë të njeriut. Pyetja është se këto melaike a janë gjithmonë nën përcjelljen tonë dhe a e shoqërojnë njeriun në vende si banjo, wc, xhami, shkollë, e kështu me radhë.

S’ka dyshim se Allahu azze ue xhel na e ka cekur në Kur’an, na ka treguar Allahu azze ue xhel se njeriun e shoqërojne dy melek dhe këta melek ia regjistrojnë veprat e tij, pra regjistrimi i veprave, kanë rënë në ujdi të gjithë dijetarët se veprat regjistrohen, qofshin të mira apo të këqija, qoftë ai njeri në vend të ndershëm apo qoftë në ndonjë vend të keq, ngase Allahu azze ue xhel gjithashtu na ka treguar në Kur’an se në ditën e Gjykimit prezantohet libri, dhe thotë Allahu se atë ditë mëkatarët, mizorët, zullumqarët i sheh të trishtuar dhe thonë:

Çudi a është ky libër që nuk ka lënë gjë as të vogël as të madh pa e regjistruar në të. Pra, ska dyshim se veprat e robëve të Allahut azze ue xhel regjistrohen dhe ky është parimi dhe besimi i Ehlu Sunetit dhe Xhematit, e pyetja që vijon, këta melek që e shoqërojnë njeriun, a janë vazhdimisht me njeriun edhe kur gjendet në gjendje të keqe, edhe kur gjendet në vende të ndyta apo jo?

Dijetarët janë ndarë në 3 mendime: Mendimi i parë është se ato e shoqërojnë në çdo vend, ndërsa hadithet që flasin se nuk hyjnë melekët në filan vendin, në filan shtëpinë thonë dijetarët se është për qëllim melekët e rahmetit, e jo melekët që e shoqërojnë dhe ia regjistrojnë veprat njeriut.

Mendimi i dytë thonë se melekët e shoqërojnë në çdo vend, përveç në dy vende, e këta dijetarë janë bazuar në një hadith që e transmeton Imam Tirmidhiu që thotë Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, të ketë kujdes njeriu mos të zhvishet lakuriq dhe të qëndrojë në dhomën e tij ngase ata e shoqërojnë të ndershmit përpos në dy raste:

kur është njeriu në banjo apo kur njeriu të jetë me bashkëshorten e tij dhe këtë e potencon edhe Hasan El-Basriu, megjithatë ky hadith tek muhadithet konsiderohet si hadith i dobët, për këtë arsye dijetarët e grupit të tretë, e mendojme se e kanë qëlluar më shumë, ku thonë: Ajo që është e fshehtë për ne, nuk na lejohet të flasim në të, pos me argument.

Posedojmë argumente se melekët të cilët e përcjellin njeriun ia regjistrojnë të gjithë veprat, mirëpo nuk e dimë në çfarë forme dhe si ia regjistrojne.
A është e domosdoshme që melekët ta shoqërojnë në çdo gjendje për t’ia regjistruar veprat apo Allahu azze ue xhel i ka dhënë aftësi dhe mundësi melekëve që t’ia regjistrojnë veprat pa qenë prezent me të dhe kjo është e mundur ngase Allahu azze ue xhel është i Plotëfuqishëm,

pra ky mendim është i saktë, pra ne besojmë se veprat regjistrohen, në çfarë forme, si, kanë aftësi melekët t’i regjistrojnë edhe kur je në banjo pa e shoqëruar njeriun, është e mundur, por përderisa nuk kemi argument nuk na lejohet që të flasim, me rëndësi melekët të cilët na i regjistrojnë veprat, nuk ka mundësi që ndonjë vepër t’u ik nga regjistrimi i tyre,

ngase Allahu azze ue xhel në këtë formë na ka treguar dhe tregon se libri i cili regjistron nga ana e melekëve do të prezantohet në ditën e Gjykimit, e pastaj njeriut i dhurohet libri ose në dorën e djathtë nëse është vepërmirë, ose në dorën e majtë nga shpina nëse është vepërkeq. Allahu na beftë prej atyre që i mbushim regjistrat me vepra të mira.