Pse çdoherë që bëj dua, kurrë nuk më pranohet duaja, a ka mundësi një këshillë.

LAJME

Pse çdoherë që bëj dua, kurrë nuk më pranohet duaja, a ka mundësi një këshillë.

Nuk është e vërtetë se duaja nuk të pranohet, ngase Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka treguar dhe ka thënë se nëse në dua nuk ka mëkate dhe del nga zemra, duaja pranohet. Vetëm një lloj të njeriut nuk i pranohet duaja. Cili është ky njeri?

Ai i cili thotë se iu kam lutur dhe iu kam lutur Allahut megjithatë nuk më është përgjigjur, e pastaj e ka braktisur lutjen. Allahu azze ue xhel me urtësinë e Tij dëshiron të dëgjojë zërin tënd sa më shpesh, e nuk është e vërtetë se Allahu azze ue xhel nuk të përgjigjet. Ka mundësi Allahu të përgjigjet pas një kohe, vetëm se Allahu për shkak se të do, dëshiron ta dëgjojë zërin tënd.

Gjithashtu, nëse ushqimin e ke haram, është vështirë që duaja jote të pranohet, ngase Pejgamberi i Allahut ka treguar për një njeri i cili ka qenë në udhëtim, i ka ngritur duartë, e ka mbushur barkun me haram dhe ka thënë: ja Rabb, ja Rabb .. pastaj ka thënë Pejgamberi i Allahut .. Veshmbathjen haram, ngrënien haram, ushqimin haram, si të ia pranoj lutjen atij?

Për atë ka thënë Saad ibn Ebi Uekasi, kur është këshilluar me Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, dhe i ka thënë: ja ResulAllah .. pse nuk na pranohen lutjet dhe duatë? Ka thënë Pejgamberi i Allahut: Shiko se çfarë fut në barkun tënd, nëse fut hallall do të të pranohet lutja jote.

Saad ibn Ebi Uekasi ka qenë njëri prej atyre që i është pranuar lutja, derisa të tjerët kanë ardhur dhe kanë kërkuar nga ai, dhe ai ka kërkuar lutje nga Allahu për ta, e Allahu menjëherë i është përgjigjur lutjeve të tij ngase këtë mësim e kanë marrë nga Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

Pra, kujdesu se çfarë fut në barkun tënd, çfarë vesh, nëse të gjitha këto i ke hallall, inshaAllah Allahu azze ue xhel ta pranon lutjen gjithashtu dhe mos nxito dhe të thuash: jam lutur dhe s’më është përgjigjur, se Allahu të përgjigjet në momentet kur është më e përshtatshme që të përgjigjet dhe ka thënë Pejgamberi i Allahut se Allahu i përgjigjet robit të Vet në tre forma:

Ose ia jep atë që e ka kërkuar, ose ia largon një bela më të madhe që ka pasur t’i ndodhë, e për shkak të lutjes Allahu ia largon, ose ia ruan për ahiret. Allahu e di më së miri.